Tuesday, May 12, 2020

Isopolifonia

Vepra e fundit e studiuesit Vaso Tole, zbulon rrënjët e iso-polifonisë shqiptare, si pjesë e trashëgimisë kulturore.

“Pse qanë kuajt e Akilit?” është libri më i fundit i publikuar nga studiuesi muzikor Vasil Tole, për të cilin ai ka punuar plot 12 vite.

Qëllimi i kësaj vepre ka qenë ai i zbulimit të rrënjëve të iso-polifonisë shqiptare, tashmë si pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit.

“Ky libër është përpjekje që bëjnë njerëzit e kulturës për të nxjerrë në pah pasuri të tilla të mëdha shpirtërore të kombit, siç është iso-polifonia.

Eshtë një sprovë etno-muzikologjike”, shprehet Tole në një intervistë ekskluzive për “ABC News”.

Duke shtuar më tej, se koha kërkon studime të mëtejshme për zbulimin e origjinës dhe prej ardhjes së saj.

Kjo për të kapur edhe disa forma arkaike të të kënduarit dhe valles shqiptare, të cilat mbartin elementë mjaft të rëndësishëm dhe domethënës të tyre. /ABCNews

Fitnete Rexha

Këngëtarja që është një shembull se si mund të dashurohet kënga popullore, dekorohet me Urdhrin "Mjeshtër i Madh"

Fitnete Rexha, e cilësuar nga disa muzikologë si artistja që pastroi këngën e Shqipërisë së Mesme nga influencat e muzikës orientale, është dekoruar dje me Urdhrin "Mjeshtër i Madh" (pas vdekjes). Kompozitori dhe bashkëpunëtori i saj shumëvjeçar, Tish Daija, e konsideronte Fitnete Rexhën si reformatoren e muzikës së Shqipërisë së Mesme.

"Vlerësimi im për Fitnete Rexhën si këngëtare e këngës së Shqipërisë të Mesme është maksimal", është shprehur kompozitori i njohur për këngëtaren, e cila është nderuar dje me Urdhrin "Mjeshtër i Madh" (pas vdekjes). Fitnete Rexha, e cilësuar nga disa muzikologë si artistja që pastroi këngën e Shqipërisë së Mesme nga influencat e muzikës orientale, në fakt është një shembull se si mund të dashurohet kënga popullore. Vajza më e vogël e Bab Rexh Delisë, "Hero i Popullit", familja krutane e të cilit njihet për vlerat e traditës që kur ishte 15 vjeç, këndoi dhe regjistroi këngët e para popullore në Radio-Tirana, nën shoqërimin e grupit orkestral të Shqipërisë së Mesme, të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.

Fillimisht punoi si këngëtare në Estradën e Tiranës dhe më pas aktiviteti i saj si këngëtare u zhvillua tërësisht pranë AKVP-së në Tiranë, deri në daljen në pension në vitin 1981. Ndër këngët më të bukura të kënduara nga Fitnete Rexha përmenden: "Te selvitë e Namazgjasë", "Qenke veshur me të bardha", "Mun aty tek shtatë zymbylat", "Dy të bukurat në nji derë", etj. Fitnete Rexha ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme, regjistrime muzikore që gjenden kryesisht pranë Radio-Tiranës. Akademik Prof. Çesk Zadeja është shprehur vite më parë se "sa herë të dëgjohet kënga popullore e Shqipërisë së Mesme, gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha". RD